Lajme
28.4.2016 15:24
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane Dr. Arbër Ademi sot realizoi takim pune me Ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në vendin tonë, SH.T. z. Branko Rakovec.
Zëvendëskryeministri Ademi informoi ambasadorin Rakovec për vizitën e tij zyrtare të javës së kaluar në Republikën e Sllovenisë dhe shprehu falënderim për mbështetjen e tij për realizimin e të njëjtës.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit diskutuan për gjendjen aktuale politike në vend, bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve si dhe për mbështetjen të cilën vendi jonë e merr nga Republika e Sllovenisë në rrugën e saj të integrimit evropian.
Sa i përket ngjarjeve politike në Maqedoni, Zëvendëskryeministri Ademi iu referua ngjarjeve të fundit në vend, i cili ndodhet në gjendje të ndërlikuar politike dhe siguroi se anulimi i takimit të liderëve në Vienë, i ndërmjetësuar nga Komesioneri Han dhe tre euro deputetët, do të duhet ti shtyjë urgjentisht liderët e partive politike të kërkojnë mënyrë të re për dalje nga kriza dhe rezultate pozitive. Ademi theksoi se duhet të ndiqen postulatet e marrëveshjes politike dhe të organizohen zgjedhje të besueshme dhe gjithëpërfshirëse, të cilat do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë kontekst u kërkua edhe mbështetje nga Sllovenia për ruajtjen e rekomandimit për fillimin e negociatave për aderim, që për ne është shumë e rëndësishme, dhe u theksua se nuk duhet të vlerësohemi vetëm nga situata aktuale, por edhe nga arritjet e përgjithshme të deritanishme.
Sa i përket bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve, bashkëbiseduesit vlerësuan se i njëjti është në nivel të lartë dhe se të dy vendet kanë partneritet strategjik i cili karakterizohet me mbështetje të vazhdueshme për procesin e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë. Gjithashtu u konkludua se ekzistojnë kushte për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.
Sa i përket krizës së migrantëve, Ambasadori Rakovec theksoi rolin pozitiv dhe konstruktiv të Maqedonisë në adresimin e të njëjtës dhe kontributin e saj për parandalimin e përpjekjeve për kalim joligjor të kufirit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Roli i Maqedonisë u vlerësua si shumë i rëndësishëm dhe si kontribut i qartë për planin e përgjithshëm të BE-së për adresimin e krizës së migrantëve.
Bashkëbiseduesit theksuan edhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal ku edhe njëherë bashkërisht u potencua se kontestet bilaterale nuk duhet të pengojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre kah BE.