Lajme
29.9.2016 11:37
Në kuadër të vizitës në Bruksel, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, sot u takua me Eurokomisionerin për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Johanes Han. Gjatë takimit u diskutua rreth më shumë temave aktuale që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të vendit, në veçanti gjendjen politike, procesin zgjedhor, mbështetjen e BE-së dhe migracionin.
Në këtë kontekst, Ademi informoi për realizimin e detyrimeve nga Marrëveshja e 20 korrikut që janë parakusht i rëndësishëm për organizimin e zgjedhjeve demokratike dhe të besueshme. Dy bashkëbiseduesit përshëndetën edhe vlerësimin e liderëve politik për përmbushjen e parakushteve për realizimin e zgjedhjeve në dhjetor si hap pozitiv drejt zgjedhjes së krizës politike në vend. U theksua së është e rëndësisë së veçantë që në periudhën e ardhshme, të gjithë aktorët politik, të japin kontributin e tyre për vazhdimin e procesit tonë eurointegrues. Njëherit, Komisioneri Han theksoi edhe nevojën e mbështetjes adekuate të vazhdueshme politike dhe institucionale, për punën e Prokurores Speciale Publike.
U diskutua edhe për domosdoshmërinë që në mënyrë intensive të punohet në implementimin e Reformave Urgjente Prioritare, duke pas parasysh se kanë të bëjnë me fusha të cilat janë kyçe për sundimin e ligjit, posaçërisht në pjesën e gjyqësisë dhe administratës publike dhe vecanerisht implementimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Lidhur me çështjen e migracionit, Zëvendëskryeministri Ademi dhe Komisioneri Han u pajtuan se është e nevojshme të ketë bashkëpunim dhe këmbim të informacioneve mes vendeve të rajonit dhe BE-së, me qëllim të koordinimit më të mirë të aktiviteteve dhe shmangies së situatave të fluksit të rritur të migrantëve dhe parandalimit të dukurisë së migracionit ilegal, duke pas parasysh se kriza e migracionit nuk është çështje vetëm e një vendi apo një rajoni, por është çështje e cila kërkon angazhim të thellë ndërkombëtar, koordinim të fuqishëm dhe reagim të shpejtë nga ana e të gjithë aktorëve. Në këtë kontekst, Komisioneri Han theksoi kontributin e Maqedonisë në menaxhimin e krizës së migrantëve dhe parandalimin e migrantëve jolegal.