Lajme
07.9.2016 11:51
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi iu drejtua pjesëmarrësve në konferencën “Marrëveshjet ndërkombëtare nga shekulli XIX deri në shekullin XXI dhe integrimet euroatlatike të Republikës së Maqedonisë” e cila u mbajt sot, 07.09.2016, në Shkup, në organizim të Akademisë për Shkenca dhe Arte të Maqedonisë.
Në fjalimin e tij, Zëvendëskryeministri iu referua përfitimeve nga procesi i unifikimit evropian si dhe rëndësisë së vazhdimit të procesit të zgjerimit me qasjen e vendeve të rajonit.
“Më lejoni të rikujtoj një pjesë të Strategjisë për zgjerim të vitit të kaluar të Komisionit Evropian, ku konfirmohet rëndësia e procesit të zgjerimit, si për vendet kandidate, po ashtu edhe për vetë Unionin: “Politika e zgjerimit të BE-së është investim në paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Ajo mundëson rritje ekonomike dhe mundësi tregtare për të mirën e përbashkët të BE-së dhe vendeve aspiruese për anëtarësim. Perspektiva për anëtarësim në BE ka efekt të fuqishëm transformues ndaj shteteve të tanguara, duke sjellë ndryshime pozitive demokratike, politike, ekonomike dhe sociale”, theksoi Ademi.
Zëvendëskryeministri Ademi përsëriti se vendi qëndron në rrugën e integrimit në Union si një ndër synimet kryesore strategjike e cila është definuar qysh prej para 25 viteve, nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë dhe shprehu besim se në periudhën e ardhshme edhe përkundër sfidave me të cilat ballafaqohemi edhe ne si shtet, po ashtu edhe Unioni, do të përkushtohet vëmendja e duhur edhe në përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.