Lajme
31.5.2016 13:26
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi realizoi takim me SH.S. z-nja Luiza Vinton koordinator i përhershëm i OKB-së dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-s në vendin tonë.
Zonja Vinton uroi Zëvendëskryeministrin Ademi për emërimin e tij në funksionin e ri me shpresë për avancim të bashkëpunimit të deritanishëm.
Në fillim të takimit Zëvendëskryeministri Ademi theksoi se UNDP është partner i rëndësishëm i vendit tonë dhe
është mbështetës i vazhdueshëm në shumë fusha të rëndësishme, si qeverisja demokratike, kyçja sociale, mjedisi jetësor dhe energjetika.
Gjatë takimit u diskutua edhe për aktivitet aktuale të cilat UNDP i ndërmerr lidhur me realizimin e projektit për sanimin e dëmeve nga përmbytjet me fonde IPA.
Gjithashtu, u diskutua edhe për mundësitë për sigurimin e mbështetjes për vendosjen e sistemit për paralajmërim të hershëm dhe parandalim të përmbytjeve në rajonin e Pollogut. U diskutuan edhe projektet të cilat UNDP i zbaton përmes fondeve evropiane për procesin e decentralizimit fiskal dhe masave për vetëpunësim. Po ashtu u theksua se do të ishte e rëndësishme të shqyrtohet mundësia për thellim të mbështetjes edhe në fushat lidhur me Reformat Urgjente Prioritare.
Bashkëbiseduesit iu referuan edhe angazhimit të rëndësishëm dhe mbështetjes nga UNDP dhe agjencionet tjera të Kombeve të Bashkuara për menaxhim me sfidat e krizës së migrantëve dhe sigurimin e ndihmës së duhur humanitare për migrantët.