Lajme
27.5.2016 12:18
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi realizoi takim me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë Sh. T. z. Ylber Hysa.
Ambasadori Hysa uroi Zëvendëskryeministrin Ademi për marrjen e funksionit duke shpresuar kështu në avancimin e mëtutjeshëm të arritjeve të deritanishme si në aspekt të procesit të integrimit, por edhe në aspekt të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal.
Gjatë takimit nga ana e bashkëbiseduesve u konstatua se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore. Si prioritete me interes të përbashkët edhe më tej mbeten ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, intensifikimi i bashkëpunimit rajonal dhe multilateral dhe shfrytëzimi më efikas i fondeve evropiane për projektet aktuale dhe të reja si dhe zhvillimi i mëtejmë i bashkëpunimit ekonomik.
Si shembull pozitiv për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik, bashkëbiseduesit e potencuan hyrjen në fuqi te marrëveshjes për kushtet e udhëtimit të shtetasve të dy vendeve.
Zëvendëskryeministri Ademi theksoi se dy vendet ndajnë prioritet të njëjtë strategjik – anëtarësimi në BE dhe se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë dhe Kosovën, është garancioni i vetëm për stabilitet dhe prosperitet në këtë pjesë të Evropës dhe se është detyrim edhe i vendeve kandidate edhe i Komisionit Evropian ta ruajnë fokusin në politikën e zgjerimit, dhe në këtë drejtim përshëndeti propozimin e KE-së lidhur me liberalizimin e vizave me Kosovën.
Lidhur me ndodhitë aktuale politike në vend, bashkëbiseduesit theksuan se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për me çka u mundësua kthimi i Parlamentit dhe anulimi i zgjedhjeve, është e rëndësishme që në periudhën e ardhshme të merren hapa për përmbushjen e detyrimeve nga marrëveshja politike në mënyrë inkluzive dhe transparente, me fokus të veçantë në përmbushjen e detyrimeve të Reformave Urgjente Prioritare.
Në fund të takimit bashkëbiseduesit përshëndetën organizimin e samitit të Parisit i cili është vazhdim i procesit të Berlinit dhe deklaratës së Vienës dhe paraqet edhe një konfirmim për mbështetjen e procesit të zgjerimit, sepse i njëjti është fokusuar në zhvillimin ekonomik, konektivitetin dhe të rinjtë dhe paraqet mundësi të shkëlqyer për vazhdimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.