Lajme
02.11.2022 04:54
Vazhdojmë me aktivitetet për arritjen e inkluzivitetit sa më të madh shoqëror në procesin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim sot u realizua takim i Zv.Kryenegociatores së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, znj. Drita Abiu-Halili, ekspertit kroat për euro-integrime të angazhuar përmes projektit "Përkrahja Nordike për progres të Maqedonisë së Veriut" z. Vladimir Drobnjak, dhe përfaqësuesve të sektorit civil në vend.
Pjesëmarrja e sektorit civil në procesin integrues është jashtëzakonisht e rëndësishme, veçanërisht në fushën e ekspertizës së nevojshme në kapituj dhe fusha të ndryshme.
Një partneritet dhe komunikim i mirëfilltë mes Qeverisë dhe të gjithë aktorëve shoqëror është kyç në realizimin e objektivave të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Modalitetin apo formën e kyçjes së sektorit civil në procesin e anëtarësimit në BE do ta vendosim bashkërisht, gjithnjë duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm dhe ndërtimin e një strukture funksionale që do të kontribojë për një proces efikas dhe dinamik integrues.
Duhet të përgatitemi si për pjesëmarrje, ashtu edhe për përdorim dhe absorbim sa më të madh të fondeve të BE- së. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të arritur përforcimin e kapaciteteve të organizatave joqeveritare në shfrytëzimin e fondeve të BE-së, të dedikuara për shoqërinë civile, me theks të veçantë, përmirësimin e partneritetit dhe bashkëpunimit midis shtetit dhe sektorit civil në këtë fushë.