Lajme
12.5.2016 16:07
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi sot 12.05.2016 realizoi takim me SH.T. z. Fatos Reka Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë.
Ambasadori Reka uroi Zëvendëskryeministrin Ademi për marrjen e funksionit duke shpresuar kështu në avancimin e mëtutjeshëm të arritjeve të deritanishme si në aspekt të procesit të integrimit, por edhe në aspekt të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit diskutuan për gjendjen aktuale politike në vend si dhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve.
Lidhur me gjendjen aktuale politike, e cila bashkërisht u vlerësua si e ndërlikuar, bashkëbiseduesit potencuan se e njëjta ndikon në procesin integrues të vendit, dhe në këtë aspekt duhet kushtuar vëmendje e veçantë implementimit të mëtejmë të Reformave Urgjente Prioritare, si dhe zbatimit të marrëveshjes politike dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ku fokusi kryesor i të gjithë aktorëve politik, pa përjashtim, duhet të jetë gjetja e zgjidhjes së përbashkët për krizën e krijuar juridike dhe politike.
Zëvendëskryeministri Ademi dhe Ambasadori Reka përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve dhe diskutuan për planifikimin e aktiviteteve konkrete për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal në fushat me interes të përbashkët përmes shkëmbimit të përvojave në aspektin e procesit euro-integrues si dhe në aspekt të shfrytëzimit më efikas të fondeve evropiane.