Lajme
12.11.2014 12:58
Sot, në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Dr. Fatmir Besimi, para anëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, i prezantoi arritjet dhe shkallën e realizimit të Programit Nacional për Miratimin e të Drejtës së Bashkimit Evropian – NPAA, rishikimi i tremujorit të tretë për vitin 2014.
Në fillim, Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se në Agjendën e BE-së nuk bëhet fjalë për orientimet tona të djathta apo të majta politike por për atë se a kemi progres apo regres në rrugën tonë drejtë BE-së, njëherësh duke nënvizuar se periudha në vijim është shumë e rëndësishme për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë, posaçërisht në aspekt të adresimit të rekomandimeve kyçe në fushat prioritare të Raportit të Komisionit Evropian për progresin e vendit. Në këtë drejtim filloi rishikimi i Programit Nacional për Miratimin e të Drejtës së Bashkimit Evropian – NPAA, rishikimi për vitin 2015, ku do të definohen aktivitetet afatshkurtra dhe afatmesme që do të bazohen në rekomandimet e Raportit e Komisionit Evropian, i cili rishqyrtim pritet të përfundojë dhe të miratohet derë në fund të këtij viti.
Me qëllim të sigurimit të gjithëpërfshirjes më të madhe në proces, Sekretariati për Çështje Evropiane ftoi shoqërinë civile, sektorin/organizatat e mediave dhe komunitetin akademik, që të japin propozime për aktivitete konkrete, të cilat do të kontribuonin në avancimin e mëtutjeshëm të situatës në fusha të ndryshme, siç janë: demokracia dhe sundimi i ligjit, gjyqësia, liria e shprehjes, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e pakicave, politika sociale etj.
Gjithashtu, Besimi theksoi se Qeveria ka përgatitur edhe Planin draft të veprimit, me qëllime afatshkurtra në fushat prioritare (gjyqësi, liria e shprehjes dhe mediave, ndryshimet kushtetuese, marrëdhëniet ndëretnike, reforma në administratën publike, adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunim rajonal) në të cilat veç më punohet.
Lidhur me realizimin e NPAA 2014, deri më 11 nëntor 2014, janë miratuar 20 ligje, (gjegjësisht 35,1%), dy janë në procedurë parlamentare, dy janë në procedurë qeveritare ndërsa nëntë janë në procedurë ndërsektoriale. Rreth akteve të parapara nënligjore, janë miratuar 64 (gjegjësisht 44,8%), dy janë në procedurë qeveritare ndërsa 24 janë në procedurë ndërsektoriale, theksoi Besimi.
Për reformat në gjyqësi, mes tjerash Besimi potencoi se është mbajtur mision ekspertësh për gjyqësinë në të cilën kanë marr pjesë ekspert të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të institucioneve gjyqësore të vendit. Gjithashtu, nga ana e Këshillit Gjyqësor është kryer vlerësim i rregullt vjetor i punës së gjykatësve për vitin 2013. Si posaçërisht të rëndësishme e theksoi reformën e kornizës ligjore rreth vlerësimit të përgjegjësisë disiplinore të gjykatësve e cila do të realizohet në bashkëpunim me Komisionit Evropian.
Në kuadër të kritereve ekonomike u theksua si vijon: sipas parashikimeve ekonomike vjeshtore të Komisionit Evropian për vitin 2014, rritja vjetore e projektuar e PBV-së në Republikën e Maqedonisë është më e larta në rajon dhe e dyta në Evropë, gjegjësisht 3,3 % në vitin 2014, 3,4% në vitin 2015 dhe 3,6% në vitin 2016. Po ashtu, Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se Republika e Maqedonisë është lartë e ranguar në raportet ndërkombëtare për konkurrencë edhe atë në pozitën e 63-të të Raportit për Konkurrencë Globale për vitet 2014 dhe 2015, gjë që paraqet përmirësim për 10 pozita në krahasim me vitin e kaluar dhe është në pozitën e 30-të në Raportin e Doing Business të publikuar nga Banka Botërore, gjë që paraqet rangim më të lartë krahasuar me të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në fund të prezantimit të NPAA para anëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane në Parlament, zëvendëskryeministri Besimi tha se këto janë një pjesë e arritjeve thelbësore në zbatimin e reformave të agjendës së BE-së dhe theksi se është e domosdoshme që të gjithë të tregojnë konstruktivitet maksimal dhe të fokusohen në realizimin e prioriteteve dhe reformave kyçe.