Lajme
21.2.2019 13:31
Zëvendëskryetari
i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane Bujar Osmani, sot në Vjenë mori
pjesë në mbledhjen e Ministrave për Çështje Evropiane të vendeve të Ballkanit
Perëndimor, organizuar nën ombrellën e Ministrit Federal për Çështje Evropiane
të Austrisë në zyrën e Kancelarit Federal, Gernot Blumel, kushtuar sfidave me
të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian në krijimin e të ardhmes së Evropës.
“Të gjithë ne,
vendet kandidate për anëtarësim në BE, kemi ambicie dhe qëllim të përbashkët
për të qenë pjesë e BE-së, sepse vetëm një Ballkan i qëndrueshëm, i sigurt dhe
i begatë është garancë e fortë për një Evropë të qëndrueshme, të sigurt dhe të
begatë në tërësi“, theksoi Osmani në takim, duke potencuar se vendet e
Ballkanit Perëndimor, jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht dhe kulturalisht,
kanë qenë gjithmonë pjesë e Evropës.
Në rajon ka një
realitet të ri të quajtur Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky është vendi i
cili pa dyshim bëhet anëtar i 30-të i Aleancës së NATO-s, i cili ka pritje reale
për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit; ky
është vendi i cili po shndërrohet në shembull për demokraci të organizuar funksionale,
multikulturore, multietnike dhe multigjuhësore, theksoi Osmani, duke potencuar se
vendi nuk ka më asnjë çështje të hapur me fqinjët e saj, por edhe që ka arritur
ti mbyllë të gjitha çështjet kryesore të hapura brenda, në shtëpi.
Shpresoj që
historia jonë e suksesit të jetë nxitje për vendet tjera të rajonit, këtu gjithsesi
në mënyrë të veçantë mendoj edhe për Kosovë dhe Serbinë, për zgjerimin e
vizioneve të tyre politike, duke lënë më shumë hapësirë për kompromis, qasje
pozitive dhe vullnet politik diplomatik, për t’i dhënë fund kontestit të tyre“,
theksoi Osmani, duke nënvizuar zgjidhjen e kontestit Prishtinë – Beograd si më
të vështirin, më kompleksin, si dhe për momentin prioritetin më të rëndësishëm
në rajon.
Zëvendëskryeministri
Osmani shprehi mirënjohje të veçantë për nikoqirin Blumel, fillimisht për mbajtjen e takimit, duke
krijuar mundësi që të gjithë Ministrat në një vend të ndajnë idetë, vizionet
dhe pritjet e tyre lidhur me zhvillimin e Bashkimit Evropian në të ardhmen, por
në përgjithësi edhe mirënjohje ndaj Austrisë për mbështetjen e madhe ndaj vendeve
të Ballkanit Perëndimor, në aspiratat për anëtarësim në BE, veçanërisht në
kuadër të presidencës së tyre me Unionin, duke vendosur përparimin e rajonit si
një nga prioritetet më të rëndësishme të BE-së.