Lajme
12.11.2018 12:09
Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel mbajti brifing joformal me përfaqësuesit e Grupit Punues në Këshillin e BE-së për Ballkanin Perëndimor (KOVEB).
Në takim
Osmani brifoi për gjendjen aktuale politike në vend, duke vlerësuar klimën
politike si pozitive për implementimin e reformave të parapara, në veçanti tani
pas vendimit të parë për qasjen drejt ndryshimeve Kushtetuese në përputhje me
Marrëveshjen e Prespës, me të cilin u zhbllokua edhe puna në Kuvend.
“Si
Qeveri dhe si shtet me kujdes punojmë në përmbushjen e gjitha vërejtjeve dhe
rekomandimeve të cilat i përmban Raporti i Komisionit Evropian, në veçanti ato
që ju referohen edhe konkluzave të samiteve të qershorit të Këshillit të BE-së,
me të cilat do të ndërtojmë një portfolio solide që do të sigurojë konfirmimin
e vendimit nga ana e Këshillit qershorin e ardhshëm dhe fillimin e
negociatave”, theksoi Osmani, duke potencuar progresin edhe në implementimin e ndryshimeve
kushtetuese, si dhe reformave të Planit 18.
“Plani 18
tani më u miratua në Qeveri dhe implementimi i tij, tani për tani, po
zhvillohet pa pengesa. Pres që në kohë
të adresohen të gjitha fushat kyçe duke pasur parasysh se ritmi i implementimit
të reformave u përforcua pas zhbllokimit të Kuvendit me dritën e parë jeshile
për ndryshime kushtetuese” –theksoi Osmani duke potencuar progresin në formimin
e grupit negociues dhe përgatitjen e shtetit për fillimin e negociatave.
Osmani
për vizitë pune qëndron në Bruksel, ku krahas brifingut me përfaqësuesit e KOVEB,
do të mbajë takim pune edhe me Eurokomisionerin për Zgjerim dhe Politikë
Fqinjësore, Johanes Han.