Lajme
16.11.2016 09:16
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane Dr. Arbër Ademi, sot në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane, realizoi takim me Sekretarin e përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë z. Majkëll Linhart.
Në takim u diskutua procesi i integrimit evropian i Republikës së Maqedonisë, për të cilën Zëvendëskryeministri Ademi theksoi rëndësinë e këtij Raporti të Komisionit Evropian i cili për të tetën herë mbetet në qëndrimin e tij për gatishmërinë dhe nevojën që Maqedonia të nis negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim Zëvendëskryeministri informoi Linhart se nga ana e Sekretariatit për Çështje Evropiane është përgatitur analizë e detajuar lidhur me gjetjet e dhëna në Raport e cila më tutje do të jetë temë e debateve të gjëra dhe gjithëpërfshirëse.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit theks të veçantë i vendosën organizimit të zgjedhjeve demokratike dhe të besueshme në 11 dhjetor, rezultatet e të cilave duhet të jenë të pranuara nga të gjithë palët, me çka do të krijoheshin kushte që vendi më në fund të dalë nga kriza e gjatë politike dhe të fokusohet në reformat e nevojshme.
Pas zgjedhjeve fokusi ynë duhet të vendoset në zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Përzhinos, mbështetjen e punës së Prokurorisë Speciale Publike, realizimin e Reformave Urgjente Prioritare dhe të gjitha detyrimeve që dalin nga ata si dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit e cila edhe më tej mbetet gur themel për të ardhmen tonë euro-atlantike, theksoi Ademi.
Dy vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm bilateral në nivel politik, ekonomik dhe sektorial, ndërkaq Austria edhe me tej mbetet mbështetës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë përmes projekteve të ndryshme për bashkëpunim.
Në veçanti u theksua roli pozitiv i Maqedonisë të cilën e kishte dhe vazhdon ta ketë në menaxhimin e krizës së migrantëve dhe parandalimin e lëvizjeve ilegale përmes vendit.
Në fund, bashkëbiseduesit theksuan se bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Austrisë, do të vazhdojë në drejtim të përmirësimit të mëtutjeshme të situatës dhe realizimit të reformave në të gjitha fushat shoqërore, dhe në veçanti mbështetjen në procesin euro-integrues të Republikës së Maqedonisë.