Lajme
27.9.2016 16:43
Gjatë vizitës së tij në Paris, Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane Arbër Ademi realizoi takim me Sekretarin Shtetëror për Çështje Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, z. Arlem Dezir.
Në takim, Zëvendëskryeministri iu referua gjendjes politike në vend dhe detyrimeve të cilat dalin nga marrëveshja Politike, duke theksuar vlerësimin e liderëve politik për kushtet e përmbushura për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, si një hap pozitiv përpara.
“Gjatë periudhës së ardhshme është e nevojshme të bëhen përpjekje që të organizohen zgjedhje demokratike, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse, rezultatet e së cilave do të pranohen gjerësisht,” tha Ademi dhe shtoi se për Maqedoninë është e rëndësisë së veçantë ta mbajë perspektivën evropiane.
Lidhur me Reformat Urgjente Prioritare, Ademi theksoi se është e nevojës të vazhdojë me realizimin e masave dhe aktiviteteve të parapara, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për fusha që janë të rëndësisë së veçantë për reformat lidhur me procesin euro-integrues të vendit.
“Duke e pasur parasysh rolin e rëndësishëm historik të Francës në procesin e bartjes së vendimeve në BE, për ne është e rëndësisë së veçantë ta kemi mbështetjen tuaj të hapur për proceset integruese euro-atlantike, e cila u konfirmua edhe gjatë kohës së Samitit të Parisit”, theksoi Ademi.
Dezir e theksoi rëndësinë e marrëveshjes së 20 korrikut si dhe përmbushjes së detyrimeve tjera nga marrëveshja e Shkupit në pjesën e mediave dhe gjyqësorit me qëllim që në Këshillin Evropian të dhjetorit të jepet vlerësim adekuat për vendin.
Lidhur me migracionin, bashkëbiseduesit u dakorduan se është e nevojshme qasjе koordinatave dhe bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe BE-së me qëllim që të zvogëlohet paraqitja e migracionit jo legal.
Gjatë vizitës së tij, zëvendëskryeministri Ademi do të takohet edhe me kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane në Senat dhe do të ketë fjalim para Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin Nacional të Francës.