Lajme
19.9.2016 15:37
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi sot realizoi takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Hungarisë në Republikën e Maqedonisë, Dr. Laslo Ishtvan Duks.
Në takim Zëvendëskryeministri Ademi theksoi bashkëpunimin e mirë mes dy shteteve në më shumë fusha, prej të cilave veçoi mbështetjen për integrimin euro-atlantik si dhe bashkëpunimin në përballimin me krizën e migrantëve për sigurimin e kufijve, me shpresë për thellimin e mëtutjeshëm të së njëjtës.
Në takim u diskutuan edhe aktivitetet kyçe të realizuara në periudhën e kaluar në përputhje me detyrimet të cilat rrjedhin nga marrëveshja Politike, ku të dy theksuan rëndësinë e organizimit të zgjedhjeve parlamentare demokratike dhe të besueshme. Zëvendëskryeministri përsëriti se përkushtim i Qeverisë mbetet përmbushja e obligimeve të cilat dalin nga Reformat Urgjente Prioritare dhe implementimi i plotë i rekomandimeve nga analiza e Marrëveshjes Kornizë e Ohrit.
Zëvendëskryeministri Ademi ambasadorit të ri Hungarez Ishtvan Duks i uroi punë të suksesshme gjatë mandatit të tij, duke shpresuar në vazhdimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit pozitiv dhe avancimin e tij.