Lajme
16.9.2016 10:49
Gjatë vizitës së punës në Bruksel, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi, realizoi takim edhe me Drejtorin Gjeneral në Drejtorinë për zgjerim dhe politikë fqinjësorë në Komisionin Evropian, z. Kristijan Daniellson.
Gjendja aktuale politike në vend, aktivitetet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Reformat Urgjente Prioritare dhe IPA fondet, ishin disa nga temat që u diskutuan gjatë takimit.
Lidhur me gjendjen aktuale politike, Zëvendëskryeministri Ademi iu referua detyrimeve të cilat dalin nga marrëveshja e 20 korrikut, dhe njëherit dy bashkëbiseduesit konstatuan se vlerësimi i liderëve politik për kushtet e përmbushura për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, është një hap pozitiv. Gjatë periudhës së ardhshme është e nevojës të bëhen përpjekje të organizohen zgjedhje demokratike, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse, rezultatet e së cilave do të pranohen gjerësisht.
Nga aspekti i Reformave Urgjente Prioritare, Ademi theksoi se është e nevojës të vazhdohet me realizimin e masave dhe aktiviteteve të parapara, duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për fusha të cilat janë të rëndësisë së veçantë për reformat lidhur me procesin euro-integrues të vendit.
Ai gjithashtu theksoi se vazhdon përkushtimi për implementimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila paraqet gurë themel për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëjetesës në vend.
Mes tjerash bashkëbiseduesit u dakorduan se duhet të vazhdojë mbështetja për punën e Prokurorisë Speciale Publike.
Ademi theksoi se ndihmën të cilën vendi e merr nga BE-ja përmes IPA fondeve, është e një rëndësie të veçantë për zbatimin e reformave të cilat janë të rëndësishme, jo vetëm për vendin, por edhe për qytetarët. Pikërisht për këtë bëhen përpjekje maksimale për tu përmirësuar kapacitetet për absorbim dhe të sigurohet shfrytëzim më efektiv i mjeteve.
Në këtë kontekst bashkërisht u konstatua se duhet të vazhdojë praktika e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë mes institucioneve shtetërore dhe Komisionit Evropian, me qëllim të adresohen rekomandimet nga mësimet e marra deri më tani dhe të sigurohet zbatim më efikas i projekteve.