Lajme
15.9.2016 12:56
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Arbër Ademi, qëndron në vizitë pune në Bruksel ku realizoi takim me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Drejtorisë për zgjerim dhe politikë fqinjësore, z-nj Genoveva Ruiz Kalavera.
Në takim Zëvendëskryeministri Ademi informoi për gjendjen aktuale politike në vend ku iu referua aktiviteteve kyç të realizuara në periudhën e kaluar në përputhje me detyrimet të cilat dalin nga Marrëveshja Politike. Kështu theksoi veçanërisht rëndësinë e organizimit të zgjedhjeve parlamentare demokratike dhe të besueshme rezultatet e të cilave do të jenë të pranuara gjerësisht.
Ai gjithashtu theksoi se përmbushja e detyrimeve të cilat dalin nga Reformat Urgjente Prioritare mbetet përkushtim i Qeverisë duke pasur parasysh rëndësinë e tyre për perspektivën evropiane të vendit.
Bashkëbiseduesit, gjatë takimit iu referuan edhe sfidave dhe mundësive për planifikim dhe shfrytëzim më efikas të mbështetjes e cila ofrohet përmes IPA fondeve të Bashkimit Evropian.
Angazhim i përbashkët i Ademit dhe Kalaverës ishte të vazhdojë praktika e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë për të gjitha aktivitetet, për të siguruar programim me kohë të fondeve në dispozicion dhe implementim më efikas të projekteve me çka do të zvogëlohej humbja eventuale e mjeteve.
Në këtë kontekst, Zëvendëskryeministri Ademi informoi se në këto momente është duke u bërë analizë thelbësore e raportit të sapo publikuar të Gjykatës së Auditorëve, me qëllim që të ndërmerren masat e nevojshme për adresim të gjetjeve dhe rekomandimeve nga i njëjti.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u dakorduan se është e nevojshme që të vazhdohet me mbështetjen të cilën BE ia jep vendit për përforcim të kapaciteteve nacionale për migracion, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj fushe si për vendin tonë ashtu edhe për Unionin.
Gjatë ditës së sotme, Zëvendëskryeministri Ademi do të realizojë takim edhe me Drejtorin Gjeneral në Drejtorinë për zgjerim dhe politikë fqinjësorë në Bashkimin Evropian, z. Kristijan Daniellson.