Lajme
12.11.2024 06:40
„Maqedonia e Veriut nuk është vetëm anëtare e mundshme e ardhshme, por partner aktual në kauzën evropiane. Rruga e Maqedonisë së Veriut përpara është e lidhur ngushtë me stabilitetin dhe progresin e tërë Ballkanit Perëndimor“
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Universitetin Ballkanik Ndërkombëtar në Shkup, mbajti fjalim në konferencën e titulluar: 'Perspektiva për një të ardhme të përbashkët: Procesi i aderimit të Maqedonisë së Veriut dhe marrëdhëniet BE-Turqi'. Ministri Murtezani theksoi që në fillim se për Maqedoninë e Veriut, angazhimi në procesin e aderimit është i rrënjosur në vizionin për një të ardhme që është inkluzive dhe me prosperitet, e bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta dhe respektit të ndërsjellë.
Në këtë pikë kyçe të historisë evropiane, perspektivat për aderimin tonë nuk pasqyrojnë vetëm harmonizimin e politikave, por edhe përafrimin e fateve. Në botën tonë të lidhur ngushtë, suksesi i një kombi në arritjen e vlerave demokratike, stabilitetit dhe progresit e përforcon forcën kolektive të të gjithëve. Sot, Maqedonia e Veriut qëndron si një partner plotësisht i përkushtuar në përpjekjet e përbashkëta për të arritur stabilitet dhe kohezion në rajonin tonë." – tha MÇE Murtezani
Në vazhdim është teksti i plotë i fjalimit:
I nderuar Rektor, të nderuar Ekselenca, kolegë dhe mysafirë të nderuar
Sot, përderisa po diskutojmë këtu për rrugën e aderimit të Maqedonisë së Veriut, si dhe për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Turqisë, është e rëndësishme dhe thelbësore të theksohet se ky është një udhëtim thellësisht i ndërthurur me vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Për Maqedoninë e Veriut, angazhimi ynë në procesin e aderimit është i rrënjosur në vizionin për një të ardhme që është inkluzive dhe me prosperitet, e bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta dhe respektit të ndërsjellë.
Në këtë pikë kyçe të historisë evropiane, perspektivat për aderimin tonë nuk pasqyrojnë vetëm harmonizimin e politikave, por edhe përafrimin e fateve. Në botën tonë të ndërlidhur ngushtë, suksesi i një kombi në arritjen e vlerave demokratike, stabilitetit dhe prosperitetit e përforcon forcën kolektive të të gjithëve. Sot, Maqedonia e Veriut qëndron si një partner plotësisht i përkushtuar në përpjekjet e përbashkëta për të arritur stabilitet dhe kohezion në rajonin tonë. Tani kemi hyrë në fazën kyçe të përmbushjes së kushteve për hapjen e Klasterit 1 për sundimin e së drejtës dhe vlerave fundamentale. Për më tepër, kemi propozuar udhërrëfyes që lidhen me reformat në sistemin e drejtësisë, të drejtat e pakicave dhe reformën e administratës publike. Çdo njëri prej tyre është edhe kthesë e rëndësishme dhe përkushtim – demonstrim i kapacitetit tonë për të krijuar një ndryshim të vërtetë dhe të qëndrueshëm. Raporti i këtij viti për progresin, i publikuar nga Komisioni Evropian para dy javësh, konfirmon se Maqedonia e Veriut është e gatshme të vazhdojë përpara me vetëbesim drejt aderimit.
Megjithatë, edhe pse progresi ynë është i konsiderueshëm, ne gjithashtu jemi plotësisht të vetëdijshëm se integrimi në BE duhet të jetë më shumë sesa përmbushja e një sërë kushteve teknike. Aspiratat e Ballkanit Perëndimor nuk mund të mbesin në bllokim të vazhdueshëm. Përderisa BE-ja shqyrton fazën e ardhshme të zgjerimit, këto diskutime zhvillohen në kontekst të një peizazhi gjeopolitik të ndërlikuar. Deklaratat e fundit të liderëve evropianë e theksojnë zgjerimin si një 'imperativ gjeopolitik', parim që rajoni ynë e demonstron përmes përkushtimit dhe progresit të tij. Theksi i përshpejtimit të proceseve të aderimit, përforcimin e reformave të para-aderimit dhe zgjidhjen e çështjeve bilaterale përmes diplomacisë të orientuar strategjikisht tregon një kuptim më të thellë të zgjerimit si imperativ– jo vetëm si një zgjedhje politike
Sot, si njëri nga folësit, do të doja të ndalem në temën e rëndësishme të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Turqisë, siç është theksuar në titullin e kësaj konferencë. Është nder për mua të njoh partneritetin që ndajmë me Turqinë, komb që po kalon në një udhëtim të gjatë dhe të ndërlikuar drejt anëtarësimit në BE.
Megjithatë, edhe pse procesi i aderimit të Turqisë përballet me sfida të mëdha, mbështetja e saj për aspiratat e Maqedonisë së Veriut thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përpjekjet tona të përbashkëta për stabilitet dhe progres në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrja e Turqisë është një kujtesë se integrimi i Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm një qëllim nacional, por pjesë e një angazhimi rajonal më të gjerë që përforcon objektivat tona të përbashkëta dhe përmirëson pozicionin tonë të përbashkët në kontekstin evropian
Maqedonia e Veriut nFuk është vetëm anëtare e ardhshme, por partner aktual në kauzën evropiane. Rruga e Maqedonisë së Veriut përpara është e lidhur ngushtë me stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Përkushtimi ynë ndaj Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Procesit të Berlinit konfirmon gatishmërinë tonë për të kontribuar në kohezionin rajonal dhe integrimin ekonomik, duke pozicionuar Ballkanin Perëndimor si një komponent kyç të të ardhmes së Evropës. Aspiratat tona për anëtarësim nuk duhet të shihen më si një shpresë e largët, por si rezultat logjik dhe në kohë të vizionit të përbashkët.
Si pikë e fundit, përderisa mendojmë për rrugëtimin tonë të përbashkët drejt Evropës së bashkuar, shpresa jonë e përbashkët është që rruga e Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme. Ky udhëtim shpreh përkushtimin tonë për unitetin, bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta që na lidhin.