Lajme
06.2.2023 04:30
Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane dhe negociator kryesor me BE-në, Bojan Mariçiq, në fejsbuk profilin e tij publikoi se Komisioni Evropian sot ka propozuar të sigurohen deri me 100 milion euro ndihmë makro-financiare për Maqedoninë e Veriut.
-Me këtë ndihmë deri me 100 milion euro edhe një herë konfirmohet se kush qëndron afër Maqedonisë së Veriut në kohëra të vështira dhe në kohë të krizës ekonomike dhe energjetike. Ndihma do të kontribuojë për mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut në vitet 2023 dhe 2024, duke mbështetur qëndrueshmërinë financiare dhe reformat strukturore, thotë Mariçiq.
Ndihma do të vijë në formë të kredive, ndërkaq zbatimi i tyre do të përcaktohet së bashku me BE-në përmes Memorandumit për mirëkuptim. Memorandumi për mirëkuptim me siguri do të fokusohet në reforma të politikave në fushat e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partnerëve publiko-private, mjedisit të biznesit, transparencës në ndihmën shtetërore, efikasitetit energjetik, reformave në gjyqësi dhe luftës kundër korrupsionit. Pagesat, gjithashtu, do të vareshin nga përvoja pozitive në zbatimin e programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Të gjitha këto reforma do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, tha: “Ne qëndrojmë pran Maqedonisë së Veriut në këto kohëra të sfidave. Sot propozojmë deri në 100 milion euro ndihmë makro-financiare për mbështetje të ekonomisë së vendit, duke kontribuar për mbulimin e nevojave të saja financiare për dy vitet e ardhshme.”
Ndihma makro-financiare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me partnerët fqinj dhe partnerët për zgjerim, dhe synohet si një instrument për përgjigje ndaj krizave për partnerët të cilët ballafaqohen me probleme serioze të bilancit të pagesave. Kjo tregon solidaritetin e BE-së me këto partnerë si dhe mbështetje për politika efektive në kohëra të krizës paprecedent. Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE, e cila formalisht i hapi negociatat aderuese me BE-në në korrik të vitit 2022. Me 22 prill 2020, Komisioni miratoi propozim pako financiare prej 3 miliard eurosh për dhjet partnerë të zgjerimit dhe fqinjëve, që të ju ndihmojë ti zbusin pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit, nga të cilët 160 milion euro i mori Maqedonia e Veriut. Kësti i parë prej 80 milion eurosh u pagua në tetor 2020. Kësti i dytë prej 80 milion eurosh u pagua në qershor të vitit 2021, pas vlerësimit pozitiv të Komisionit për progresin e arritur lidhur me përmbushjen e kushteve të politikës lidhur me këtë ndihmë.
Propozimi i sotëm, i cili pason pas grantit prej 80 milion eurosh për menaxhim me krizën energjetike, e ndjek programin për mbështetje 24 mujore, të lidhur me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), deri në 520 milion euro.