Lajme
20.9.2022 08:07
Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane dhe negociatori kryesor me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, në mbledhjen e skriningut të sotëm shpjegues për Kriteret Ekonomike, tha se me integrim formal të kritereve ekonomike në klasterin Themele, përmbushja e Kritereve ekonomike të Kopenhagës do të jetë mes prioriteteve kryesore politike gjatë negociatave aderuese.
-Nëse kemi parasysh rëndësinë e klasterit Themele për dinamikën e procesit negociues në përgjithësi, atëherë qartë është se kriteret ekonomike do të jenë mes sferave kryesore që do ta përcaktojnë ritmin e negociatave në përgjithësi, tha Mariçiq në takim.
Sipas negociatorit kryesor, integrimi formal i Kritereve ekonomike në klasterin Themele vetëm e potencon rëndësinë e menaxhimit ekonomik dhe nevojën e përforcimit të tij me qëllim për të shmangur rrezikut që vendi të ketë çekuilibër makroekonomik pas anëtarësimit në BE.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Mariçiq iu referua edhe punës së deritanishme, duke potencuar se Maqedonia e Veriut deri më tani ka dorëzuar tetë Programe për reforma ekonomike, ndërkaq sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, në përgjithësi ka përmirësim në cilësinë e dokumenteve edhe në dialogun ekonomik.
-Kjo reflekton në përpjekjet e vazhdueshme që i bëjmë për përforcimin e kapaciteteve tona institucionale për koordinim më të mirë të politikave ekonomike dhe përgatitjen për pjesëmarrjen e radhës në procesin e semestrit Evropian, theksoi Mariçiq.
Metodologjia e re për zgjerim të BE-së nga viti 2020, për herë të parë i vendos kriteret ekonomike në rend të parë të procesit të aderimit drejt BE-së, respektivisht në klasterin e parë, Themele.
Krahas kritereve ekonomike, klasteri Themele për herë të parë, si pjesë e negociatave aderuese i përfshin edhe funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën në administratë publike.