Lajme
07.2.2022 05:00
Sot Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq mbajti takim me ambasadorin holandez në vend, Dirk Jan Kop, me të cilin biseduan për dinamikën e procesit euro-integrues të vendit, vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe mbështetjen financiare të cilën në formë të projekteve Republika e Maqedonisë së Veriut e merr nga Mbretëria e Holandës.
“E rëndësishme është mbështetja e Mbretërisë së Holandës në procesin e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Në takimin e sotëm me Ambasadorin Jan Kop konfirmuam se politika e zgjerimit të BE-së është e rëndësishme në stabilitetin dhe progresin e rajonit, sepse siguron rregulla unike lidhur me demokracinë, sundimin e së drejtës, të drejtat e njeriut, si dhe një treg më të madh dhe investime. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në procesin e aderimit në BE dhe pres që në periudhën e ardhshme të punojmë bashkërisht me partnerët tanë që ta përshpejtojmë dinamikën e procesit me punë të përkushtuar në reforma gjithëpërfshirëse” – theksoi Mariçiq.
Zëvendëskryeministri Mariçiq dhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Jan Kop, diskutuan edhe për zgjerimin e mbështetjes tradicionale në reforma me theks të veçantë në sundimin e së drejtës dhe gjyqësorit, si dhe për progresin e bashkëpunimit mes vendit tonë dhe Bullgarisë në drejtim të heqjes së plotë të vetos drejt nisjes përfundimtare të negociatave aderuese me Unionin, ku u potencua edhe mbështetja holandeze për të ardhmen evropiane të vendit.