Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës
së Maqedonisë, i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, së bashku me
Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në kuadrin e vizitës dyditore zyrtare
në Bruksel, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme
dhe Politikë të Sigurisë dhe nënpresidente e Komisionit Evropian, Federika
Mogherini.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Osmani
e ka informuar atë me planin e ri të reformave, Planin 18, me të cilin
Maqedonia mbetet e përkushtuar për procesin reformues edhe pas marrjes së
rekomandimit dhe raportit pozitiv të Komisionit Evropian: ‘Plani 3-6-9 krijoi
një bazë solide për implementimin e reformave thelbësore dhe afatgjata për
përafrimin e shoqërisë sonë me atë evropiane, kurse Plani 18 është vazhdimësi e
logjikshme e agjendës reformatore të Qeverisë për një bashkërendim dhe
përcjellje në vazhdimësi të këtyre reformave deri në çeljen e negociatave,’-
theksoi Osmani.
Gjatë takimit Osmani informoi
bashkëbiseduesen edhe për përparimin e arritur në marrëdhëniet mes Republikës
së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, duke shprehur kënaqësinë për përmirësimin e tyre, implementimin e
masave të mirëbesimit, frenimin e përshkallëzimit të mospajtimeve politike, por
edhe kënaqësinë me arritjet në bisedimet lidhur me çështjen e emrit:
“
Kemi një përparim serioz dhe asnjëherë deri tani dy vendet nuk kanë qenë kaq
afër zgjidhjes. Orët në vazhdim mund të
jenë vendimtare për epilogun e negociatave dhe më mbanë shpresa se epilogu
eventual pozitiv do të krijojë një klimë
të mirë për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Greqisë si dhe të kushteve
për avancimin e perspektives euro-atlantike të Maqedonisë,” - shtoi Osmani.
Në fund të takimit, Zëvendëskryeministri
Bujar Osmani shprehu shpresën se përparimi në implementimin e reformave, por
edhe evitimin e barrierave politike, do të valorizohet në mënyrë përkatëse në
samitet e këtij muaji të Bashkimit Evropian me çka do të vuloset e ardhmja
evropiane e Maqedonisë, por edhe orientimi euro-atlantik I të gjitha vendeve të
Ballkanit Perëndimor-.